10.17.2021

Lindja e Bekuar e Pejgamberit a.s. – një ngjarje e pazakontë për mbarë njerëzimin

By admin

Shtatzënë me Shpëtimtarin e Fundit që po priste njerëzimi, Amina nuk i jetonte vështirësitë që jetonin kandidatet e tjera për nënë. Ajo po kalonte një shtatzëni të rrethuar nga të gjitha anët me flladin e ëmbël të mëshirës hyjnore. Mbi të gjitha si kurorë, kishte shumë sihariqe që i vinin të pëshpëritura në vesh. Ajo tregonte se një ditë dëgjoi:

-Padyshim, që ti je shtatzënë me Prijësin e njerëzimit. Kur ta sjellësh atë në jetë, thuaj se po e lë në mbrojtjen e Atij që është Një, dhe më pas vendosi emrin “Muhamed”.[1]

Amina u prek shumë nga e gjithë kjo. Po, ajo do të sillte në jetë një fëmijë që do të ishte jetim. Por, çfarë do të thoshte se fëmija i saj do të ishte prijësi i mbarë njerëzimit. Mbi të gjitha ajo nuk e kishte dëgjuar asnjëherë emrin “Muhamed”. Sepse emri “Muhamed” nuk ishte ndonjë emër i njohur në atë kohë dhe atë vend. Ai ishte një emër të cilin e kishin vetëm tre vetë në të gjithë Arabinë. Dhe etërit e të treve ishin njerëz që kishin jetuar pranë mbretërve, dhe ishin të gjithë ndjekës të librave hyjnorë. Dhe secili prej tyre kishte vdekur në periudhën kur gratë e tyre ishin me barrë, dhe pa ndërruar jetë i kishin këshilluar gratë e tyre, se nëse lindnin djem, t’ia vinin emrin Muhamed. Sepse e dinin, që emri i Profetit të fundit që do të vinte në kohën e fundit do të ishte i atillë. Ata e kishin parë që ylli i Tij ishte në prag të lindjes.[2]

Amaneti që ajo mbartte në bark bëhej temë qendrore e ëndrrave të saj, andaj edhe nuk e ndiente shumë rëndesën e shtatzënisë që t’i lirohej sa vjen e më tepër. Një natë, Amina, do të shihte në ëndërr sikur prej trupit të saj dilte një nur, dhe me këtë nur do të dëshmonte se si ndriçoheshin sarajet e Basrës dhe të Sirisë.[3]

Data ishte 20 prill 571. Kishin kaluar vetëm pesëdhjetë ditë nga ndodhia e elefantit. Ndërsa kalendari hënor shënonte ditën e dymbëdhjetët të muajit Rebiuleuel. Ishte e hënë. Në këtë çast kur drita kishte kapluar gjithë rruzullin, po përjetohej një lindje që do ta nxirrte krejt njerëzimin prej errësirës në dritë.

Ndërkaq, Mbreti i fundit, Muhamedi (s.a.s), sihariqi i të cilit kishte shëtitur rruzullin për shekuj me radhë, kishte nderuar botën me ardhjen e Tij në paqe. Në botë erdhi jetimi i Aminës, megjithëse nuk i ngjante asnjë fëmije tjetër. Buzët i lëviznin dhe diç thoshte. Kur tregoi pak kujdes ndaj kësaj dukurie, ajo dëgjoi: “Allahu të mëshiroftë!”. Dhoma për një çast ishte ndriçuar plotësisht; Lindja dhe Perëndimi ishin kapluar nga drita, dhe kësisoj çdo anë e shtëpisë ishte bërë dritë.[4]

Menjëherë u lajmërua gjysh Abdulmutalibi, i cili në atë kohë ishte duke adhuruar Allahun në Qabe. Me ta marrë vesh, ai hyri menjëherë në shtëpi i mbështjellë nga emocione të papërshkrueshme. Në çastin që e mori në krahë Dritën që po priste njerëzimi, mjekra po i lagej nga lotët e gëzimit. Jetimi i Abdullahut, djalit, të cilin e donte më së tepërmi, kishte lindur shëndoshë e mirë, dhe me atë vështrimin e tij zhbirues zuri ta kundronte me kujdes. Shenja që dukej mes kockave të shpatullave tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Sepse, sipas përshkrimeve të dijetarëve të fesë, ajo ishte “vula e profetësisë”.

Kur i erdhi radha vendosjes së emrit, Amina e nderuar, i tregoi Abdulmutalibit gjithçka që kishte përjetuar gjatë shtatzënisë, dhe kësisoj Atë e quajtën Muhamed. Më pas, Abdulmutalibi e shpuri Atë në krahë për në Qabe, që të falënderonte Allahun. Qabeja po takohej për herë të parë me binjakun e saj. Kur e pyetën Abdulmutalibin se përse i dha pikërish këtë emër nipit të tij, ai do t’i përgjigjej me këto fjalë:

-Në ëndërr pashë një si zinxhir të argjendtë; në mes kishte një shtyllë të nxjerrë, një pjesë për nëpër qiell, dhe tjetra e futur thellë në tokë, njëra tregonte drejtim kah perëndimi e tjetra nga lindja. Më vonë, kjo sikur u mblodh duke u bërë e vogël sa një grusht. Të gjithë, nga Lindja në Perëndim, sikur ishin drejtuar kah kjo pemë për t’u kapur pas saj.[5]

 

Lajme që vijnë nga të katër anët

Pa kaluar shumë kohë, filluan të vinin lajme nga të katër anët. S’ka dyshim që gjithësia po tregonte se ishte e interesuar në ardhjen e Tij, dhe me rrezatime të ndryshme, po e tërhiqte vëmendjen e gjithkujt kah kjo lindje.

Fillimisht, Meka u trondit nga lajmet e rrëzimit dhe thyerjes së idhujve që gjendeshin brenda në Qabe… Askush nuk e mori vesh se kush e bëri dhe se si kishte mundësi që ishin përballur me një ngjarje të këtillë.

Zaten kishte kohë, që në qiell po përjetohej një gëzim dhenjerëzit dëshmonin pareshtur rënien e yjeve. Të gjitha këto quheshin si myzhde të ardhjes së shpëtimtarit të fundit, andaj dijetarët e kohës filluan të mos e largonin vështrimin e tyre nga qielli. Në mëngjesin e asaj dite, Meka do të dëgjonte një dijetar që i pyeste:

-O popull i Kurejshit! Mos lindi gjë një fëmijë sonte në mesin tuaj?

Askush nuk kishte ende ndonjë lajm të tillë, andaj:

-Vallahi që nuk dimë gjë, – thanë ata.

Njeriu që pyeste fillimisht lëshoi tekbir, për t’i këshilluar më pas:

-Keni bërë një gabim; shkoni shihni dhe mos i harroni ato që do t’ju them: Mbrëmë, lindi Ahmedi, profeti i fundit i njerëzimit. Kontrolloni me kujdes, sepse nëse nuk ka lindur këtu, atëherë ka lindur në Palestinë. Në mes të dy kockave të shpatullave, mbuluar nga qime të verdheme dhe të zezë, ai mbart një shenjë që është vula e profetësisë.

Mekasit ishin shushatur nga fjalët e këtij njeriu të ditur. Ashtu të habitur zunë të shihnin njëri-tjetrin, por prapëseprapë e dinin që nuk kishin dëgjuar gjë për një lindje të këtillë. Populli u nda si gjithmonë, dhe sakaq të gjithë u shpërndanë për në familjet e tyre. Pa kaluar shumë kohë, të gjithë po merrnin lajmin se mbrëmë, në shtëpinë e Abdulmutalibit kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vendosur emrin Muhamed. Ajo që ishte më e veçanta, ishte se ashtu siç kishte lajmëruar dijetari, në mes të shpatullave ai kishte një shenjë në trajtën e vulës.

Ata zunë të shkonin pranë dijetarit që i pati lajmëruar i pari, duke i thënë:

-Na the se në mesin tonë ka ardhur në jetë një fëmijë…

Pa mbaruar fjalinë, dijetari i pyeti i shqetësuar:

-A ka lindur përpara se t’ju thosha unë, apo më pas?

-Më parë.

Dijetari u emocionua jashtëzakonisht shumë dhe i kërkoi atyre që ta shpinin menjëherë atje ku ishte foshnja i sapolindur. Mirëpo, kur erdhi pranë Aminës, me të parë shenjën në mes të krahëve, atij i ra të fikët menjëherë. Kur erdhi në vete, tha:

-Turp t’ju vijë!

Kur e pyetën se ç’po i ndodhte, ai iu përgjigj:

-Tashmë, nderi i profetësisë nuk është më i hebrenjve. Kështu është e shkruar. Tashmë begatia profetike u takon arabëve. Gëzohuni, o njerëz të Kurejshit! Sepse ai, bashkë me ndihmën tuaj do të arrijë një fuqi të atillë, që zëri i saj ka për ta mbushur distancën mes Lindjes dhe Perëndimit.

Një ngjarje e ngjashme po përjetohej edhe në Medinë. Hasan bin Thabiti, që megjithëse në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, vite më vonë, emocionin e asaj kohe do ta tregonte me këto fjali:

-Unë në ato kohë isha shtatë a tetë vjeç, por i kuptoja mjaft mirë ato që dëgjoja. Pashë një dijetar hebre të bërtiste në majë të njërës prej kalave të Jethribit:

-O popull medinas! O popull i Jethribit!

Të gjithë ishin habitur nga kjo sjellje. S’kishte më dyshim se kishte ndodhur ndonjë ngjarje shumë e rëndësishme, ose kishin të bënin me ndonjë rrezik. Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

-Ç’është gjithë ky telash? Çfarë të ka ndodhur?, – duke iu mbledhur rreth vetes. Ai i përgjigjej atyre që e kishin rrethuar:

-Mbrëmë në darkë lindi ylli i Ahmedit.

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 2/263
[2] Ibnu Sej’jidi’n-Nas, ujun’ul eser, 1/88
[3] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/127; 5/262; Ibni Hisham, Sire, 1/293
[4] Kastalani, Meuahib, 1/122
[5] Ebu Zehra, Hatemu’n Nebij’jin, 1/140