Të qarët e Profetit Muhamed (s.as.)
Sahabet e nderuar e kanë parë Profetin tonë, Profetin e mëshirës, duke qarë herë pas here. E qara e tij nuk ishte për shkak të humbjes së ndonjë gjëje materiale të kësaj bote. Ndonjëherë ka derdhur lot për vdekjen e një të ndjeri, ndonjëherë për hir të dashurisë për umetin e tij, ndonjëherë ka derdhur lot për frikën dhe respektin ndaj Zotit, ndonjëherë duke dëgjuar leximin e Kuranit.
Nuk e ka konsideruar të shëmtuar të qarin, që është një instinkt natyror dhe i lindur, por nuk e ka pranuar vajtimin apo të qarin që kundërshton caktimin e Zotit dhe kaderin e Tij.
QANTE ME DËNESË, PËRVËLOHEJ SI TAVË DHEU
Abdullah ibn Auf thotë: “Iu afrova të Dërguarit të Zotit ndërsa po falte namazin. Zëri i të qarit ishte sikur zëri që nxjerr një tavë dheu e valuar mbi zjarr.” Shkaku i të qarit, padyshim që vinte nga frika prej Zotit. Ajo vinte si rezultat i pasqyrimit të cilësive madhështore dhe të bukura të Zotit. Sepse ai vetë ka thënë: “Unë jam i pari në kryerjen e punëve të mira dhe jam Ai që frikësohet më shumë nga Zoti. Po të dinit ato që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”
Një herë, në Epokën e Lumturisë, ndodhi dukuria e eklipsit. Përballë kësaj vepre të mrekullueshme të Zotit, i Dërguari i Zotit u ngrit menjëherë dhe fali namaz. Aq shumë ndenji në këmbë (kijam) saqë dëshmitari, Abdullah b. Amr, filloi të mendonte se nuk do shkonte në sexhde. Pastaj ra në ruku. Por edhe në ruku ndenji aq gjatë saqë ai mendoi se nuk do të drejtohej. Pas një farë kohe e ngriti kokën nga rukuja dhe priti për një kohë të gjatë në këmbë. Pastaj ra në sexhde. E zgjati aq shumë saqë menduan se nuk do ta ngrinte kokën. E ngriti kokën nga sexhdja dhe priti për një kohë të gjatë mes dy sexhdeve. Përsëri ra në sexhde. Dhe në sexhden e dytë qëndroi gjatë dhe filloi të qante me dënesë. Ndërkohë i lutej Zotit duke derdhur thellësinë e zemrës: “Zoti im! A nuk më premtove që nuk do t’i dënosh ata sa të jem unë mes tyre? A nuk më premtove se nuk do t’i ndëshkosh për sa kohë të kërkojnë të falur? Ja, shiko, ne po të kërkojmë të falur.”
Pas faljes së këtij namazi dy rekatësh kaq të gjatë, ngjau eklipsi i diellit. U ngrit dhe e falënderoi Zotin (xh.sh). Pastaj tha këto fjalë: “Dielli dhe hëna janë dy nga argumentet e shumta të Zotit. Ato nuk mbulohen për shkak të vdekjes apo të lindjes së një personi. Nëse shihni mbulimin e këtyre dy argumenteve të mëdha, kujtoni menjëherë Zotin dhe vraponi për ta adhuruar.” Me këto fjalë, Profeti na kujton se eklipsi i hënës dhe i diellit, të cilat shihen ditët tona si veprimtari turistike, në të vërtetë janë kohë lutje dhe adhurimi ndaj Zotit.
QANTE KUR DËGJONTE KURAN
I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! kërkon nga Abdullah b. Mesud (r.a.) t’i lexojë Kuran. Abdullah b. Mesud (r.a.) çuditet përballë një kërkese të tillë dhe i thotë: “Si mund të të lexoj Kuran, o i Dërguari i Zotit, ndërkohë që ai të ka zbritur Ty dhe i shkon më shumë gojës tënde? Profeti ynë i përgjigjet: “Më pëlqen të dëgjoj leximin e Kuranit nga dikush tjetër”. Abdullah b. Mesudi (r.a.) filloi të lexonte suren Nisa. Kur arrin te ajeti “Si do shkojë puna e tyre o Muhamed kur të sjellim nga një Profet për çdo popull për të dëshmuar dhe ty si dëshmitar për të gjithë?”, pa sytë e të Dërguarit të Zotit të mbushur me lot.
PAFAJSHMËRIA E LOTËVE QË NUK KUNDËRSHTONIN CAKTIMIN E ZOTIT
Sipas Hz. Aishes (r.a.), kur Profetit i ka vdekur vëllai prej qumështi, Osman b. Maz’un ka qarë dhe e ka puthur.
Profeti ynë paqja qoftë mbi të! kishte një djalë me egjiptianen Marije. E donte shumë dhe e përkëdhelte me dhembshuri. Ky vogëlush i pafajshëm u sëmur rëndë kur ishte dy vjeç dhe sëmundja iu përhap shumë shpejt. Në çastin e fundit, Profeti ynë paqja qoftë mbi të! e përqafoi dhe e puthi për herë të fundit duke e shtrënguar në gji. Ndërkohë nuk mund t’i përmbante lotët dhe ndjenjat e tij i shprehu me këto fjalë: “Nuk kemi ç’të themi përballë kaderit të Zotit, o Ibrahim!” Pasi vogëlushi ndërroi jetë, Profeti paqja qoftë mbi të! me sy të përlotur tha: “Syri loton dhe zemra hidhërohet. Nuk na takon të themi ndonjë fjalë të papërshtatshme me kënaqësinë e Zotit. Vdekja jote na hidhëroi shumë o Ibrahim. Nëse vdekja nuk do ishte caktim nga Zoti, nëse nuk do të vinte exheli dhe ata që do vinin më pas nuk do të takoheshin me të parët, vdekja jote do të na hidhëronte edhe më shumë.”
Sahabet kur panë lotët e të Dërguarit të Zotit, edhe pse Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ua kishte ndaluar të qarin, e pyetën për shkakun. Profeti i tha: “Unë nuk kam ndaluar hidhërimin, por kam ndaluar vajtimin me të bërtitura dhe të çjerra, duke hedhur gurë e rrahur veten kundër kaderit. Lotët që shihni janë pasqyrim i dashurisë dhe vuajtjes që kam në zemër…”116
Ibn Abasi (r.a.) transmeton: “Profeti paqja qoftë mbi të! mori në prehër një vajzë të vogël. Fëmija qëndroi pak në prehrin e tij dhe pastaj vdiq. Pas kësaj, Umu Ejmen filloi të qajë me zë të lartë. Profeti ynë u përpoq ta ndalonte vajtimin e saj me zë të lartë. Ajo iu drejtua Profetit: “A nuk të kam parë dhe ty duke qarë, o i Dërguari i Zotit? A nuk qani ndonjëherë ju?” Profeti iu përgjigj kështu: “E qara ime nuk rrjedh nga padurimi dhe nuk është një thirrje kundërshtuese e kaderit. Shkaku i të qarit tim është mëshira ime. Padyshim që besimtari dëshiron të mirën, kudoqoftë. Vuajtja e shpirtit është një e mirë për të, për këtë arsye falënderon Zotin.”