Mrekullite e Profetit Muhammed a.s.

Mrekullia e miraxhit

Në ajetin 1 të sures Isra thuhet: “Allahu që e çoi një natë robin e vet (Muhammedin), për t’i treguar disa prej provave tona, nga Mesxhidi Haram në Mesxhidi Aksa, mjedisin e të cilës e kemi begatuar, është i pastër prej atributeve të mangëta. Pa dyshim, Ai është Semi dhe Basir!”

Kurse në ajetet 8-11 të sures Nexhm, duke aluduar për ngjarjen e miraxhit, thuhet: “Pastaj u afrua dhe u var sa largësia prej dy harqesh ndoshta më afër. Dhe (Allahu) ia zbuloi robit të vet ç’kishte për t’i zbuluar. Dhe zemra (e Muhammedit) nuk i përgënjeshtroi ato që ia panë sytë…” Ndërkaq, në librat e hadithit flitet me hollësi mbi këtë udhëtim të shenjtë.

Allahu, i cili, me hyjnitetin e tij, ua ndryshon përmbajtjen dhe cilësinë trupave materialë, masivë e të patejdukshëm duke i bërë, si shpirti, të tejdukshëm e të aftë për të kapërcyer pengesat dhe kufizimet e ligjeve të natyrës, e ka favorizuar të dërguarin e vet, Muhammedin, me audiencën e tij hyjnore duke i dhuruar mundësinë për ta parë. Në udhëtimin e miraxhit si një fryt dhe përfundim i të qenit rob i Zotit dhe i adhurimit ndaj Tij, Profeti, duke i kapërcyer ligjet dhe shkaqet e natyrës, duke i kaluar pengesat njerëzore, ka kapërcyer me një lëvizje largësi të pallogaritshme duke i përdorur yjet dhe sistemet yjore si shkallë, ka lënë pas dimensionet-pengesë për ta parë Zotin dhe, nga pozicioni ku ka arritur trupërisht dhe shpirtërisht, e ka parë Zotin. Eshtë përshëndetur me profetët, i ka parë engjëjt, i ka soditur xhennetin dhe bukuritë e tij, xhehennemin dhe pamjen tronditëse të tij.

Pasi u ngjit në audiencën hyjnore me qëllim për t’ia treguar bashkësisë së tij çështjet që i duheshin treguar duke i parë vetë me sy dhe në mënyrë ngopëse, për të na i përcjellë neve gjërat që i besojmë si të fshehta, si vëzhgime të tij, për më tepër, për ta parë Allahun dhe për të na thënë neve “është” duke u mbështetur te vëzhgimi i vet, për t’i parë dhe njoftuar botën engjëllore, engjëjt, xhennetin dhe xhehennemin; pasi e soditi xhennetin, me një orë soditje të të cilit nuk mund të barazohen një mijë vjet jetë të tokës dhe pasi u nderua me vëzhgimin e Bukurisë hyjnore, me një çast vëzhgimi të së cilës nuk mund të barazohet jeta parajsore, Profeti u kthye në tokë në një kohë kur mbi të provoheshin të gjitha llojet e torturave ndërsa ai përpiqej t’i kuptonte dhe t’ua tregonte edhe të tjerëve të gjitha të vërtetat e çështjeve që kishin lidhje me Kur’anin dhe cilësitë e tij metaforike, kuptimet dhe urtësitë e adhurimeve, ta plotësonte detyrën e tij profetike për ta shpëtuar ummetin, bashkësinë e tij nga errësira e për ta nxjerrë në dritë. Duke u kthyer në tokë, Profeti ka sjellë edhe namazin si dhuratë për muslimanët. Kaq mundëm të thoshim gjer këtu për këtë mrekulli ose një tërësi mrekullish. Hollësitë janë në veprat e ndritshme të hadithit.

Mrekullia e ndarjes së hënës në dy pjesë

Abdullah b. Mesud tregon:

Një herë, ndërsa ndodhesha me të Dërguarin e Allahut në Mina, papritmas hëna u nda në dy pjesë: njëra pjesë në këtë anë të malit, tjetra, në anën tjetër. Para kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut na tha:

“Jini dëshmitarë!”[1]

 

Begatimi i të ngrënave

Enes b. Malik tregon:

Ebu Talha i tha Ummu Sulejmes: “Unë e dëgjova të Dërguarin e Allahut të fliste me zë të dobët dhe e kuptova se është i uritur. A ke ndonjë gjë për të ngrënë me vete?” Ummu Sulejm iu përgjigj “po” dhe nxori një copë bukë elbi. Këputi një copë nga buka, e mbështolli dhe ma futi nën rrobë. Pastaj më dërgoi te i Dërguari i Allahut. Unë e gjeta të Dërguarin e Allahut tek po rrinte në faltore me shokët. Unë zura vend. I Dërguari i Allahut më pyeti:

“Ebu Talhai të dërgoi ty?”

“Po!” – I thashë.

“A për të ngrënë?”

“Po!” – Iu përgjigja. Atëherë, i Dërguari i Allahut u tha të pranishmëve “ngrehuni” dhe vetë eci para. Edhe unë dola para dhe arrita i pari te Ebu Talhaja për ta lajmëruar. Ebu Talha i tha Ummu Sulejmes:

“O Ummu Sulejme, i Dërguari i Allahut po vjen me shokët, kurse ne s’kemi aq gjë sa për t’i ushqyer dhe ngopur ata!”

Ummu Sulejme tha:

“E dinë Allahu dhe i Dërguari i Tij!”

Ebu Talha doli dhe e priti të Dërguarin e Allahut dhe, pastaj, së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut i tha Ummu Sulejmes:

“Ç’të kesh, nxirre, o Ummu Sulejme!”

Ai e solli bukën dhe i shtroi sipër gjalpë nga tullumbi. I Dërguari i Allahut bëri një lutje për bukën. Pastaj i tha Ebu Talhait:

“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”

Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë. Ata hëngrën, u ngopën dhe dolën.

Pastaj i Dërguari i Allahut i tha sërish Ebu Talhait:

“Thuaju dymbëdhjetë vetëve të hyjnë!”

Ebu Talhai futi brenda dymbëdhjetë vetë të tjerë që hëngrën, u ngopën dhe dolën.

Kështu, me radhë, të gjithë shokët hëngrën dhe u ngopën. Ata ishin rreth shtatëdhjetë-tetëdhjetë vetë![2]

Në një rrëfim të Buhariut dhe Muslimit, Abdurrahman b. Ebu Bekr tregon:

Gjatë një ekspedite, ishim njëqind e tridhjetë vetë bashkë me të Dërguarin e Allahut. Ai na pyeti:

“A ka ndokush nga ju ndonjë gjë për të ngrënë?”

Dikush nga ne kishte miell. Menjëherë zumë brumë. Ndërkaq, një idhujtar shtat gjatë me një tufë dhen u afrua tek ne. I Dërguari i Allahut e pyeti:

“Për t’i shitur i ke, apo për t’i falur?”

Burri iu përgjigj:

“Jo, për t’i shitur!”

Ne blemë një dele. Delen e therëm dhe i Dërguari i Allahut urdhëroi t’i skuqej mëlçia. Pastaj i Dërguari i Allahut i dha secilit nga tg njëqind e tridhjetë vetët një copë nga mëlçia e pjekur dhe la mënjanë edhe për ata që s’ndodheshin aty. Pastaj mishin e gatuar e ndau në dy çanakë. Të gjithë hëngrëm dhe u ngopëm, kurse enët vazhdonin të rrinin plot sikur s’ishin prekur fare!

Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullait te Buhariu, një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe gjatë luftës së Hendekut. Njerëzit që hëngrën atë radhë ishin një mijë.[3]

Mrekullitë me ujin

Ndërsa ndodhej në Zerva së bashku me shokët, i Dërguari i Allahut kërkoi një enë ku të kishte ujë. Ai fudi dorën në enë dhe veç kur nga gishtat e tij filloi të rrjedhë ujë. Të gjithë shokët morën abdest.

Rrëfyesi i kësaj ndodhie e kishte pyetur Enes b. Malikun, të cilin e thërrisnin edhe me pseudonimin Ebu Hamza:

“Sa vetë ishin, o Ebu Hamza?”

“Rreth treqind vetë!” – I ishte përgjigjur ai.

Edhe në Hudejbije ndodhi që shokët t’i ankoheshin të Dërguarit të Allahut për mungesë uji. Ai nxjori atëherë një shigjetë dhe ua dha shokëve duke u thënë që ta ngulnin në burimin Themed. Vallahi, uji i burimit filloi menjëherë të gurgullojë dhe ashtu vazhdoi gjersa të gjithë shokët pinë, u ngopën dhe u kthyen.[4]

Shërimi i të sëmurëve dhe i të plagosurve

Siç na përcjellin Buhariu dhe Muslimi, në Hajber, i Dërguari i Allahut pyeti:

“Ku është Ali b. Ebu Talibi?”

Shokët iu përgjigjën:

“O i Dërguari i Allahut, ai është i sëmurë nga sytë!”

“Dërgojini menjëherë fjalë të vijë!” – Urdhëroi i Dërguari i Allahut.

Aliu erdhi. I Dërguari i Allahut ia fërkoi sytë me gishtërinjtë të lagur me pështymën e vet duke i bërë një lutje. Aliut iu shëruan sytë aty për aty! Madje i dukej se s’kishte pasur dhimbje fare![5]

Osman b. Hunejf tregon:

Te i Dërguari i Allahut erdhi një burrë i verbër dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, a po lutesh për mua të më hapen sytë?”

I Dërguari i Allahut i tha:

“Po deshe, le ta shtyjmë këtë lutje sepse kjo do të ishte më e dobishme për ty në jetën tjetër, por, po deshe, e bëjmë!”

I verbëri i tha:

“Lutiu Allahut, o i Dërguari i Allahut!”

Dhe i Dërguari i Allahut mori abdest mirë e mirë, fali dy reqate namaz dhe ia mësoi të verbërit lutjen që duhej të bënte gjersa t’i shëroheshin sytë. Ai veproi siç u porosit dhe u shërua.[6]

Njohja e Profetit nga kafshët

Duke u nisur për në hixhret, Profeti qe fshehur në një shpellë së bashku me Ebu Bekrin. Atëherë, një merimangë e kishte mbyllur hyrjen e shpellës duke thurur një pezhishkë që zinte tërë hyrjen. Dhe politeistët që i kërkonin të dy shokët gjithandej, patën ardhur edhe te hyrja e asaj shpelle, por, kur patën parë se hyrja e saj ishte e zënë e gjitha me një pezhishkë merimange, patën kujtuar se aty s’mund të kishte hyrë njeri dhe qenë kthyer.[7]

Xhabir b. Abdullah tregon:

Gjatë një ekspedite ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut dhe ecnim krah për krah. Ndërkaq, deveja ime mbeti pas.

I Dërguari i Allahut u kthye dhe e nxiti devenë time për të ecur më shpejt. Deveja u hodh para dhe nisi të ecte aq shpejt, sa, për t’i dëgjuar fjalët e të Dërguarit të Allahut, tashmë më duhej t’ia shtrëngoja frerët që të ecte më ngadalë, por, prapëseprapë, s’e ndaloja dot![8]

Enes b. Malik tregon:

Një grua çifute prej Hajberi i solli të Dërguarit të Allahut një qengj të gatuar por të helmuar dhe ai hëngri. Pastaj gruaja u suall para të Dërguarit të Allahut dhe ai e pyeti se pse e kishte bërë këtë.

“Desha të të helmoj që të vdesësh!” – I tha gruaja.

“Allahu s’të lëshon ty mbi mua që të më bësh keq!” – Ia ktheu i Dërguari i Allahut.[9]

Kurse në rrëfimin e Ebu Davudit shënohet se vetë shpatulla e qengjit tregoi se ishte e helmuar.[10]

Hz. Aisheja tregon:

Në dhomën e të Dërguarit të Allahut kishte një zog që, kur dilte ai jashtë, këndonte, luante, lëvizte andej-këtej, por, kur i Dërguari i Allahut hynte brenda, qetësohej dhe nuk bënte zë fare që të mos e shqetësonte.[11]

Enes b. Malik tregon:

I Dërguari i Allahut ishte më i bukuri, më bujari dhe më i guximshmi i njerëzve. Një natë, popullsia e Medines u tremb me të vërtetë dhe disa njerëz shkuan në drejtimin nga vinte zëri. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut që kishte shkuar para tyre, po kthehej. Kishte hipur mbi një kalin e pashaluar të Ebu Talhait dhe po u thoshte njerëzve:

“Mos u frikësoni, mos u frikësoni!”

Kurse Ebu Talhait i tha se e kishte kapur kalin në revan. Ai kalë njihej si i pashtruar. Mirëpo atë ditë e pas u bë i urtë e i shtruar.[12]

Dëshmimi i maleve dhe gurëve për Profetin

Hz. Xhabiri tregon:

I Dërguari i Allahut na tha: “Njoh në Mekë një gur që, para se të bëhesha profet, më përshëndeste. Unë edhe tani e njoh mirë atë!”[13]

Abdullah b. Mesud tregon:

“Kur hanim gjellë bashkë me të Dërguarin e Allahut, dëgjonim se si gjella e madhëronte atë!”[14]

Muslimi na përcjell prej Ebu Hurejres:

I Dërguari i Allahut, Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Talhai dhe Zubejri ndodheshin në majë të malit Hira. Ndërkaq, mali nisi të dridhej (nga gëzimi ose dashuria). Atëherë, i Dërguari i Allahut iu drejtua malit me këto fjalë:

“Qetësohu, Hira, se mbi ty është një profet, një besnik dhe një dëshmor!”[15]

Mbrojtja e Profetit si një mrekulli

Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullait që pati marrë pjesë në ekspeditën Dhatur Rika, në kthim, Profeti pati dhënë pushim diku rreth një oazi, pati zbritur nga kali dhe, si të tjerët që ishin shpërndarë nën hijet e pemëve, qe shtrirë nën një pemë për të pushuar pasi e kishte varur shpatën në një degë të saj. Xhabiri thotë se kishin pak që i kishte zënë gjumi kur kishin dëgjuar zërin e Profetit që po i thërriste. Ata ishin ngritur dhe kishin shkuar pranë Profetit. Pranë tij kishin gjetur një arab beduin. Profeti u kishte treguar se ç’i kishte ngjarë me beduinin.

“Kur unë po flija, ky beduin arab kishte ardhur, kishte rrëmbyer shpatën time prej dege dhe, sapo e nxirrte nga milli, mua më doli gjumi. Në dorë mbante shpatën time të zhveshur! Ky më tha:

“A po ke frikë nga unë tani?”

Unë iu përgjigja:

“Jo, nuk kam!”

“Po kush do të të mbrojë tani nga goditja ime?” – Më pyeti ky.

“Allahu do të më mbrojë!” – I thashë unë. Atëherë, Xhebraili e goditi me një grusht në gjoks këtë, kështu që i ra shpata nga dora. Unë e rrëmbeva shpatën dhe i thashë:

“Po ty, kush do të të shpëtojë tani prej meje?”

“Askush s’më shpëton dot!” – Më tha ky beduin.”[16]

Ebu Hurejre tregon:

Duke e pasur fjalën për sexhden, Ebu Xhehli na tha:

“Akoma Muhammedi i juaj e fërkon fytyrën për dheu?”

“Po!” – Iu përgjigjëm ne.

Atëherë ai tha:

“Betohem në Latin dhe Uzën se, po ta shoh duke vepruar kështu, do ta shkel mu në zverk! Ose do t’ia ngul fytyrën në tokë!”

Më pas, Ebu Xhehli i shkoi pranë të Dërguarit të Allahut tek po falte namaz. Sapo do ta ngrinte këmbën për ta shkelur, siç e kishte qëllimin për të cilin i kishte shkuar aty, befas e la dhe u zbraps me ngut duke mbrojtur fytyrën me pëllëmbë. Ata që ndodheshin aty pranë, e pyetën:

“Ç’të ndodhi”?

“Me të vërtetë, mes atij dhe meje u shfaq një hendek i zjarrtë, një gjë e frikshme dhe ca flatra…” – Tha Ebu Xhehli.

Kurse i Dërguari i Allahut tha:

“Po të më afrohej, engjëjt do t’ia kishin këputur gjymtyrët një e nga një!”[17]

Hz. Aisheja tregon:

Gjersa zbriti ajeti që thoshte, “pa dyshim, Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit”, i Dërguari i Allahut mbrohej nga sahabet, shokët e tij. Pas zbritjes së këtij ajeti, ai u tha shokëve: “O njerëz, shpërndahuni, se tani mua më mbron Zoti im!”[18]

Pranimi i lutjeve të Profetit

Enes b. Malik tregon:

Ditën e xhuma, ndërsa i Dërguari i Allahut po mbante hutben, erdhi një burrë dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, s’po bie shi fare. Lutiu Allahut të na lëshojë shi!”

I Dërguari i Allahut e bëri lutjen menjëherë dhe ja ku filloi të bjerë shi që u bë aq i dendur, sa nuk do të arrinim dot nëpër shtëpi. Dhe gjer në xhumanë tjetër mbi ne vazhdoi të bjerë pa pushim mëshirë!

Xhumanë tjetër, ai apo dikush tjetër u ngrit e tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutiu Allahut ta largojë këtë shi prej nesh!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im lëshoje shiun rreth nesh, jo mbi ne!”

Dhe unë ju betohem se e kam parë se si u copëtuan retë e u shpërndanë andej-këtej dhe, ndërsa në të gjithë zonën sa të hante syri, binte shi, kurse mbi Medine, jo![19]

Abdullah ibn Omer tregon:

I Dërguari i Allahut lut kështu:

“Allahu im! Bekoje Islamin me më të dashurin për Ty nga këta dy vetë (nga Ebu Xhehli ose Omer b. Hattabi)!”

Të nesërmen në mëngjes, Omer b. Hattabi doli para të Dërguarit të Allahut dhe u bë musliman![20]

Abdullah b. Abbasi tregon:

I Dërguari i Allahut kishte hyrë për të kryer nevojën. Unë vura jashtë ujë që të merrte abdest. Kur doli jashtë dhe pa ujin, pyeti:

“Kush e vuri këtë ujë?”

“Unë e vura!” – Iu përgjigja unë. Atëherë ai u lut:

“Allahu im, bëje atë dijetar në fe!”

Ne të gjithë e dimë se kjo lutje e të Dërguarit të Allahut u pranua. Ibni Abbasi qysh i ri pati zënë vendin e tij në kuvendin e dijetarëve të Hz. Omerit dhe është bërë i njohur me titujt “Habrul Umme” (I dituri i ummetit) dhe “Terxhumanul Kur’an” (Interpretuesi i Kur’anit).[21]

Kurse në Musned, lutja e Profetit është kështu:

“Allahu im, bëje atë ta njohë frymën e fesë dhe mësoja interpretimin!”[22]

Enes b. Malik tregon:

Nëna më solli te i Dërguari i Allahut dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ky është im bir, Enesi i vogël! Ta solla ty që të të shërbejë. Lutiu Allahut për të!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im! Bëje këtë fëmijë me pasuri dhe fëmijë dhe shumoja pasurinë dhe fëmijët!”

Dhe unë po ju them se, vallahi, kam shumë pasuri, kurse rreth njëqind fëmijë e nipër![23]

Enes b. Malik tregon:

Një ditë, i Dërguari i Allahut erdhi për vizitë te Ummu Haram. Tezja e gostiti me të ngrëna. Pasi hëngri, i Dërguari i Allahut u shtri pak për të fjetur. Ai u zgjua duke qeshur. Ummu Haram e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, ç’të bëri të qeshësh?”

Ai tha:

“Pashë në ëndërr ca njerëz të hipur dhe shtruar mbi ca gjemi që vozitnin në det të gjerë si sundimtarë të shtruar mbi fron dhe po shkonin për të luftuar në rrugë të Allahut. Kjo më kënaqi dhe më bëri të qeshja!”

Atëherë, Ummu Haram i tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutu për mua që edhe unë të jem mes atyre fitimtarëve të asaj ekspedite detare!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut për Ummu Haramin.

Me të vërtetë, në kohën kur Muavije b. Ebu Sufjan ishte guvernator i Sirisë, Ummu Haram hipi në një gjemi të ekspeditës së Qipros nën komandën e Muavijes. Pasi dolën në tokë dhe do të fillonin marshimin, Ummu Haram hipi në kalë por u rrëzua dhe vdiq si dëshmore e asaj fushate![24]

Dukja e engjëjve dhe xhindeve për Profetin dhe bisedimi me të

Abdullah b. Omer tregon:

Im atë, Omer b. Hattab, tha:

Një ditë, kur po rrinim me të Dërguarin e Allahut, papritmas na u shfaq pranë një person me rrobën krejt të bardhë dhe flokët krejt të zinj. As dukej se ishte udhëtar, pra, s’kishte shenja se po vinte nga rruga, as e njihnim. Ai u ul gju më gju me të Dërguarin e Allahut. Kurse duart i vuri mbi gjunjët e tij.

Ai filloi t’i bënte pyetje të Dërguarit të Allahut. E pyeti për Islamin, besimin, mirësinë dhe kiametin. Pasi mori përgjigje, personi u largua. Unë ndenja një copë herë të gjatë i heshtur. më në fund, i Dërguari i Allahut më tha:

“O Omer, a e di se kush ishte ai personi që më bëri ato pyetjet?”

“Allahu dhe i Dërguari e dinë!” – iu përgjigja unë.

I Dërguari i Allahut më tregoi:

“Ai ishte Xhebraili. kishte ardhur t’ju mësonte fenë!”[25]

Sad b. Ebi Vakkas tregon:

Ditën e Uhudit pashë dy vetë, njëri në anë të djathtë të të Dërguarit të Allahut, tjetri, në të majtë. Mbi trup kishin rroba të bardha. Ata luftonin për të me rreptësinë më të madhe. Ata dy vetë s’i kisha parë as më parë kësaj ngjarjeje, as i pashë më pas. (Ata ishin engjëjt Xhebrail dhe Mikail).[26]

Siç na përcjell Muadh b. Rifa prej të atit, Rifa b. Rafi që pati marrë pjesë në luftën e Bedrit, i ati ka thënë kështu:

Gjatë betejës së Bedrit, në një çast, Xhebraili erdhi te i Dërguari i Allahut dhe e pyeti:

“Si i njihni ndër ju ata që kanë marrë pjesë në këtë luftë?”

“Ne i njohim ata si më të virtytshmit e muslimanëve!” – Iu përgjigj i Dërguari i Allahut. Ose tha diçka të ngjashme me këtë.

“Edhe ne, – ia ktheu Xhebraili, – engjëjt që po marrin pjesë në luftën e Bedrit, i niohim si më të virtytshmit e engjëjve!”[27]

Në veprën e vet “Musned”, Ahmed b. Hanbel përcjell prej Ibni Mesudit se, në ngjarjen e Natës së Xhindve,[28] i Dërguari i Allahut u pati dhënë mësime Kur’ani xhindve.[29]

Shembëllimet dhe mrekullitë e Profetit lidhur me të fshehtën

Hz. Aisheja tregon:

Një ditë qe zënë dielli. Pasi fali namazin e eklipsit, i Dërguari i Allahut tha kështu:

“Pa dyshim, dielli dhe hëna janë dy nga provat e Allahut! Kur ta shihni se u zu dielli apo hëna, falni namaz gjersa zënia të kalojë. Betohem se, duke falur namazin e këtij eklipsi, unë pashë gjithçka që më është premtuar! Kur të jem në namaz dhe të shihni se po bëj para, ta dini se po e shoh veten të përpiqem për të këputur një vesh rrushi nga të xhennetit. Dhe po të shihni se jam duke u prapsur, ta dini se po shoh se si disa po i bëjnë copë-copë disa të tjerë!”[30]

Abdullah b. Abbas tregon:

I Dërguari i Allahut shkoi pranë dy varreve dhe tha:

“Kini kujdes! Këta me siguri po ndëshkohen. Madje, po ndëshkohen për një gjë të madhe. Njëri prej këtyre merrej me thashetheme, kurse tjetri nuk ruhej kur përmirrte!”[31]

Dëshmimi i pemëve për Profetin

Xhabir b. Abdullah tregon:

Po ecnim së bashku me të Dërguarin e Allahut. Më në fund, zbritëm në një luginë të gjerë. Ai u largua për të kryer nevojën, kurse unë e ndoqa nga larg me një enë me ujë. Diku, i dërguari i Allahut u ndal, pa përreth por nuk i zuri syri ndonjë gjë për t’u fshehur. Pastaj, në skaj të luginës i zunë sytë dy pemë. I Dërguari i Allahut u nis menjëherë drejt tyre, u afrua te njëra pemë, zuri me dorë një degë të saj dhe u lut:

“Me lejen e Allahut, përkulu para meje!”

Dhe dega u përkul para tij si deveja që i nënshtrohet të zot dhe e zuri krejt pamjen në atë anë. Pastaj i Dërguari i Allahut shkoi te pema tjetër, zuri një degë dhe u lut:

“Me leje të Allahut, përkulu para meje!”

Dhe dega u përkul para tij duke ia zënë edhe atë anë. Pastaj, mes dy pemëve, i Dërguari i Allahut u lut:

“Me lejen e Allahut, më mbuloni nga sipër!”

Dhe degët e pemëve e mbuluan të Dërguarin e Allahut edhe nga sipër.[32]

Abdullah b. Omer tregon:

I Dërguari i Allahut e mbante hutben duke u mbështetur mbi një trung hurmaje. Kur iu ngrit minberi,[33] filloi t’i mbante nga shkallën e tij. Kur i Dërguari i Allahut u ngjit për herë të parë në minber, nga trungu doli një zë rënkues. I Dërguari i Allahut i shkoi menjëherë pranë dhe e fërkoi me dorë. Zëri rënkues u shua!”[34]

Ebu Said el-Hudri tregon:

Një ditë, pas namazit të jatsisë, i Dërguari i Allahut i dha Katade b. Numanit një shkop dhe i tha:

“Ky shkop do të të ndriçojë dhjetë arshin para dhe pas. Kur të hysh në shtëpi, në një qoshe të saj do të shohësh një gjë të zezë. Godite menjëherë, pa i dhënë rast të të thotë gjë!”

Dhe ai veproi siç i tha i Dërguari i Allahut.[35]

 

[1] Buhari, Menakib, 27; Muslim, Kitabi Sifatil Munafikin ve Ahkamihin, 44; Musned, I, 377. Shën. i origj.

[2] Buhari, Ejman, 22; Muslim, Eshribe, 142. Shën. i origj.

[3] Buhari, Et’ime, 6; Hibe, 8; Muslim, Eshribe, 175. Shën. i origj.

[4] Buhari, Shurut, 15. Shën. i origj.

[5] Buhari, Fedailus Sahabe, 9; Muslim, Fedailus Sahabe, 34. Shën. i origj.

[6] Tirmidhi, Davaat, 119; Musned, IV, 138; Ibn Maxhe, Ikame, 189. Shën. i origj.

[7] Musned, I, 348. Shën. i origj.

[8] Buhari, Nikah, 10, 22; Muslim, Musakat, 112-113. Shën. i origj.

[9] Muslim, Selam, 45. Shën. i origj.

[10] Ebu Davud, Dijat, 6. Shën i origj.

[11] Musned, VI, 112; 150. Shën. i origj.

[12] Buhari, Edeb, 39; Xhihad, 117; Muslim, Fezail, 48; Musned, III, 147. Shën. i origj.

[13] Muslim, Fedail, 2; Darimi, Mukaddime, 4. Shën. i origj.

[14] Buhari, Menakib, 25; Musned, I, 460; Mukaddime, 5. Shën. i origj.

[15] Muslim, Fedailus Sahabe, 50. Shën. i origj.

[16] Buhari, Megazi, 31, 33; Muslim, Fedail, 13; Texhridi Sarih (përkth.), X, 235. Shën. i origj.

[17] Muslim, Sifatul Munafikin, 38. Shën. i origj.

[18] Mustedrek, II, 313. Shën. i origj.

[19] Buhari, Istiska, 7; Muslim, Istiska, 1. Shën. i origj.

[20] Tirmidhi, Menakib, 18; Musned, II, 95. Shën i origj.

[21] Buhari, Ilm, 17; Vudu, 10, Itisam, 2; Muslim, Fezail, 137; Isabe, 3/186. Shën. i origj.

[22] Musned, I/266. Shën. i origj.

[23] Muslim, Fedailus Sahabe, 143. Shën. i origj.

[24] Buhari, Xhihad, 3; Muslim, Imare, 160, 161. Shën. i origj.

[25] Buhari, Iman, 37; Muslim, Iman, 1. Shën. i origj.

[26] Buhari, Megazi, 18; Muslim, Fedail, 46-47. Shën. i origj.

[27] Buhari, Megazi, 11. Shën. i origj.

[28] Në origjinal: Lejletul Xhinn.

[29] Musned. I, 455. Shën. i origj.

[30] Buhari, Ebvabu’l Amel fi’s-Salat, II; Muslim, Kusuf, 3. Shën. i origj.

[31] Buhari, Edeb, 46; Muslim, Taharet, III. Shën. i origj.

[32] Muslim, Zuhd, 74. Shën. i origj.

[33] Minber: shkallaret e posaçme brenda në xhami ku ngjitet predikuesi (imami ose dikush tjetër që ka për të predikuar) për të mbajtur hutben (predikimin).

[34] Buhari, Menakib, 25; Tirmidhi, Menakib, 6; Nesai, Xhuma, 17; Ibni Maxhe, Ikame, 199; Musned, 1/149; Mukaddime, 6. Shën. i origj.

[35] Musned, III/65. Shën. i origj.