09.06.2020

Asketizmi

By admin

Asketizmi dhe ruajtja e Tij nga çdo mëkat, si dhe vera-ja (ruajtja ekstreme, tërheqja nga çdo gjë e dyshimtë) e Tij, nuk mund të gjendet te një tjetër njeri, në të tilla përmasa. Çdo sjellje e veprim i Tij ishte i akorduar sipas këtyre parimeve. Aq kishte frikë nga Allahu (xh.xh.), sa gati i pushonte zemra. Ai ishte aq i ndjeshëm, aq sensibël, sa të rralla ishin momentet që zemra nuk i dridhej e sytë nuk i lotonin. Kur shprehej, bëhej det me dallgë, ndërsa kur heshtte, oqean. Është e qartë se të presësh për Të një gunë mëkati e ta paraqesësh si të interesuar pas gjërave të kësaj bote një njeriu që e ka përshkuar jetën me një kornizë të tillë, nuk është veçse një mungesë e tejskajshme respekti e një gabim i pafalshëm. Asketizmi e ruajtja e Tij nga mëkati, e druajtja e Tij nga Allahu, qëndrimi i Tij i përpiktë, larg nga mëkati, nuk mund të përshtatet kurrsesi me zërat që duan ta paraqesin Atë, qoftë edhe paksa të prirur nga mëkati. Allahu (xh.xh.) e ka vendosur Atë, në një të tillë fron tejqiellor, sa kuisjet e atyre që lehin në tokë, nuk arrijnë kurrsesi deri te Ai, jo më ta stërpikë balta që ata hedhin…

Permasat e asketizmit tek Pejgamberi Muhamed a.s.

Dhe tani, qoftë edhe përciptas, duam të prekim e të mundohemi të paraqesim edhe këto përmasa.

Së pari, asketizmi është një gjendje shpirtërore e një mënyrë jetese që shpreh këtë: edhe nëse të falet e gjithë bota, nuk ndien ndonjë gëzim të veçantë; edhe nëse e humbet të gjithë botën, nuk hidhërohesh e nuk të bën asnjë përshtypje vlera materiale e kësaj bote. Kjo cilësi te profeti paraqitet në kulmin e saj. Edhe nëse e gjithë kjo botë do të ishte e tij, pa dyshim ai nuk do t’i jepte vlerë më tepër se një kokërr gruri. Sërish, edhe po ta humbte të gjithë botën, nuk do të mërzitej më tepër se të kishte humbur një kokërr gruri. Ja, kështu e kishte braktisur ai botën nga zemra e tij. Kjo braktisje nuk përfshin kurrsesi braktisjen e përfitimeve të të mirave nga bota; sepse sërish, ai profet, dora vetë, na mëson në mënyrën më të mirë e më të arsyeshme, se si të fitojmë nga kjo botë. As që mund të mendohet se ai e braktis botën në një tjetër kuptim apo i shtyn njerëzit në një rrugë të tillë. Braktisja e botës është diçka që bëhet me zemër. Fakti më i saktë për këtë është shteti-republikë i Islamit, që formoi profeti, i cili për një kohë të shkurtër u bë një prej shteteve më të pasur e më të fuqishëm në botë. Sikurse e thekson edhe një mendimtar perëndimor, prej këtij shteti të formuar nga i Dërguari i Allahut, do të lindnin në të ardhmen plot njëzet e pesë perandori. Shteti i madh otoman është vetëm njëri prej tyre. Ja, ky mësim duhet të jetë në themel të asketizmit. I Dërguari i Allahut, qysh nga çasti që hodhi hapin e parë drejt klimës së ndritur të profetësisë, deri në momentin që e gjithë bota u shtrua para këmbëve të tij, nuk e ndryshoi aspak sjelljen e vet. Aq sa, kur vdiq, pranë tij nuk ishin as njerëzit që kishte pasur në çastin kur kishte lindur. Sepse ai kishte falur e shpërndarë gjithë ç’kishte pasur. Vëreni trashëgiminë që ka lënë, vetëm disa kokë bagëti dhe ca dhomëza të vogla, edhe ato, të bashkëshorteve. Madje edhe ato dhomëza numëroheshin pronë shteti, sepse pas vdekjes së këtyre nënave të shenjta, gjithë ato dhoma ishin bërë pjesë e xhamisë. Sikurse e di çdokush që ka pasur rastin të vizitojë atë xhami, ato dhoma janë aq të vogla, sa përbëjnë vetëm një qoshe të vogël të faltores.[1]

[1] Buhari, Feraid, 23; Ibn Kethir, Bidaje, 5/304.