09.06.2020

Meditimi

By admin

Një natë, Profeti a.s. m’u drejtua:

– O Aishe! A më lejon ta kaloj këtë natë me adhurim ndaj Zotit tim?

Unë iu përgjigja:

– Më pëlqen të rri me ty, po më pëlqen edhe ajo që të pëlqen ty.

Profeti u ngrit dhe nisi të falet. Atë natë, gjer në mëngjes, ai lexoi katër ajete: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët” (Ali Imran 3/190) dhe derdhi lot pa pushim, kur u bë mëngjes, erdhi pranë tij Bilali, i cili do të thërriste ezanin dhe i tha:

– O i Dërguari i Allahut, pse e mundon veten kaq shumë? Allahu (xh.xh.) t’i ka falur të gjitha mëkatet e së shkuarës e të së ardhmes.

Kurse profeti iu përgjigj:

– Atëherë, përse të mos bëhem një rob që e falënderon shumë Zotin e tij, që i ka dhënë gjithë ato të mira?[8]

Ja pra përse derdhte lotë profeti. Ai druhej se mos nuk arrinte nivelin e përshtatshëm të falënderimit për pozitën e vet, ndaj edhe qante! A mund të besoni se një person i tillë mund të kryejë një mëkat ose mund të tregojë ndonjëfarë prirjeje ndaj mëkatit?

Profeti ynë a.s., sa përpikmëri tregonte për të mos iu afruar ndalesave të Allahut (xh.xh.), po dhe aq kujdes shfaqte për të mos iu afruar mëkatit, po aq përkushtim tregonte për të zbatuar edhe urdhëresat e tij, gjithnjë i gatshëm, gjithnjë i përpiktë. Edhe sikur të trajtohet pafajësia e tij veç nga ky këndvështrim, besoj se nuk ka nevojë për të shtuar as edhe një fakt tjetër. Në fakt, askush nuk do t’ia dilte mbanë të jetonte një jetë si të tijën. Ai ishte shumë i rreptë ndaj vetes dhe ndaj adhurimit individual, gjithashtu dhe shumë i disiplinuar në çdo aspekt. Thuajse e gjithë jeta e tij ishte programuar sipas adhurimit, nuk kishte asnjë çast që ai të mos ndodhej brenda dhikrit. Natyrisht që adhurimin këtu nuk mund ta kufizojmë vetëm në formën e atyre që dimë, namaz, agjërim etj. Çdo veprim që bënte, ai e kryente me ndërgjegjen e adhurimit. Kur e cilësuam si Asketi i Asketëve, zgjodhëm këtë term të shtyrë nga pamjaftueshmëria e fjalëve. Sepse asketizmi i tij është i një cilësie të veçantë, që duhet shprehur me tjetër term, me të tjera fjalë.